Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur në takim ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me të cilin diskutuan për dy projekte të rëndësisë së veçantë për Podujevën, siç është Aeroporti i Dumoshit dhe 100 hektarët në Batllavë, të vëna në funksion të ngritjes së kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Këto investime, sipas kryetarit Bulliqi, janë dëshmi e përkushtimit për ta forcuar sigurinë dhe zhvillimin e Podujevës, duke e kthyer komunën në një pikë me rëndësi të veçantë për mbrojtjen dhe stabilitetin e vendit.
“Ani pse Podujeva ka vijën kufitare më të gjatë me Serbinë, në të kaluarën nga territori ynë u larguan dy kazerma ushtarake. Sot, falë angazhimit të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit Ejup Maqedonci, po ndërmerren hapa konkretë që Podujeva të jetë më e mbrojtur, më e zhvilluar dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët”, u shpreh Bulliqi.