Qendra e qytetit të Podujevës nga sot do të mbulohet me WiFi falas, falë iniciativës WiFi4WB, që është financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë dhe është implementuar nga GIZ-i gjerman, si pjesë e projektit EU4Digital. Ndërsa, Telekomi i Kosovës Sh.a. –Vala i ka siguruar pajisjet dhe ofron shërbimin e internetit.
Në ceremoninë e lansimit të këtij projekti që u mbajt në Galerinë e Arteve në Podujevë morën pjesë ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, zëvendësambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z.Christian Böttcher, shefi i Sektorit Politik të Bashkimit Evropian në Kosovë, z.Boguslaw Gertruda, drejtori i GIZ-it për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, z.David Oberhuber, kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, zyrtarë tjerë e qytetarë.
Gjatë kësaj ceremonie, kryetari Bulliqi tha se sot jetojmë në epokën digjitale, ku informacioni e komunikimi, përveçse i shpejtë është edhe i rëndësishëm.
“Prandaj, qasja në internet falas do të jetë ndihmesë e madhe për qytetarët tanë, duke u ofruar atyre mundësi të mësojnë, të punojnë, të komunikojnë dhe të lidhen me njëri-tjetrin dhe me botën që na rrethon”, theksoi Bulliqi.
Ai falënderoi përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, GIZ-it gjerman, Qeverinë e Kosovës dhe Telekomin e Kosovës për këtë projekt me interes për qytetarët e Podujevës.
Nga një fjalë rasti mbajtën edhe ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, zëvendësambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z.Christian Böttcher, shefi i Sektorit Politik të Bashkimit Evropian në Kosovë, z.Boguslaw Gertruda, drejtori i GIZ-it për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, z.David Oberhuber dhe kryeshefja ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana.
Pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet kryetarit Bulliqi dhe drejtorit të GIZ-it, Oberhuber, zyrtarisht u aktivizuan pajisjet e WiFi-së që janë vendosur në qendër të qytetit për të ofruar internet falas.