Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, sot ka pritur në takim ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Mimoza Kusari-Lila, me të cilën kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional në realizimin e projekteve Komunë-Ministri, me theks të veçantë u folë për Parkun industrial.
“Diskutuam për ndërtimin e Zonës industriale në fshatin Livadicë, ku në bashkëfinancim me MINT-in (në vlerë rreth 4 milionë euro) do të ndërtohet një infrastrukturë e re për bizneset vendore e ndërkombëtare, gjë që do të kontribuojë në tërheqjen e investimeve të reja, zgjerimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve ekzistuese, si dhe ofrimin e mundësive për qasje në tregun e punës”, the kryetari Bulliqi.
Pas takimit, kryetari i Komunës bashkë me ministren Kusari-Lila vizituan hapësirën ku do të ndërtohet Zona industriale, ku nga viti i kaluar aty kanë filluar punimet në zgjerimin e rrugës dhe po ashtu ndërtimin e Qendrës së Kompetencës, e cila do të lidhë arsimin me ekonominë, duke i aftësuar të rinjtë për tregun e punës.
Më pas kryetari Bulliqi dhe ministrja Kusari-Lila vizituan edhe në Kompaninë “Natyra” Shpk dhe Kompaninë e lëngjeve “Natural Berry”.
“Ministren Kusari-Lila e falënderova për vizitën dhe u zotuam për thellimin e këtij bashkëpunimi në realizimin e projekteve në të mirë të qytetarëve tanë”, theksoi kryetari Bulliqi.