Kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “KFOR and Kosovo +25” në Manchester School of Art, një ngjarje me rëndësi të veçantë historike dhe përkujtimore për Kosovën.
Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të njohura ndërkombëtare dhe përfaqësues institucionalë, ndër ta: George Robertson, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s në kohën e ndërhyrjes së vitit 1999; Martin Vickers, Kryetar i Grupit Parlamentar Gjithëpartiak për Kosovën dhe Shqipërinë; Clive Soley; si dhe znj. Saranda Bogujevci, Ministre e Kulturës dhe Turizmit në Republikën e Kosovës. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të institucioneve muzeore, akademike dhe komunitare nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova.
Ekspozita sjell pamje autentike nga periudha e pasluftës, përfshirë fotografi të realizuara në Podujevë dhe rrethinë, që dëshmojnë sfidat, dhimbjen dhe shpresën e qytetarëve tanë në ditët e para të lirisë. Ajo rikujton sakrificën e popullit tonë, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe rolin vendimtar të NATO-s dhe misionit të KFOR-it në vendosjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.
Pjesë e delegacionit të Komunës së Podujevës ishin edhe znj. Lirie Hoti Rama, Drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi.
Gjatë qëndrimit në Manchester u zhvilluan edhe takime e bashkëbisedime me përfaqësues të institucioneve dhe miq të Kosovës, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe ruajtjes së lidhjeve të ndërsjella.
Ngjarje të tilla shërbejnë si urë lidhëse mes kujtesës historike dhe angazhimit tonë për të ardhmen. Komuna e Podujevës mbetet e përkushtuar në nderimin e sakrificës për liri dhe në forcimin e partneritetit me aleatët ndërkombëtarë në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.