Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, priti në takim përfaqësuesit e Organizatës Joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VoRAE), menaxheren e programit, Violeta Thaçi dhe zyrtaren e lartë për program, Amandë Toska.
Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e banimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që jetojnë në rrugën “Ali Ajeti” dhe “Xhafer Meta” në Podujevë.
Gjithashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe këto tema, si rregullimi dhe revitalizimi i hapësirave publike që shërbejnë për nevojat e këtyre komuniteteve, përkrahja për zgjidhjen e çështjeve pronësore me të cilat përballen këto komunitete, rregullimi urban i lagjeve përmes ndryshimeve të Hartës Zonale Komunale dhe koordinimi me nivelin qendror, përkatësisht me MMPH, për sigurimin e mbështetjes për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive.
Në takim ishin edhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Lirie Hoti dhe zyrtarja nga Qendra për Punë Sociale, Ormirë Dibrani.