Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, sot ka pritur në takim zyrtarët e Njësitit për Menaxhimin e Projektit të Banimit Social Adekuat në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e ekipit komunal, u diskutua për ecurinë dhe fazën në të cilën gjendet Projekti i Banimit Social Adekuat në Podujevë.
Zyrtarët komunalë i njoftuan përfaqësuesit e MMPHI-së se aktualisht aplikuesit janë në fazën e kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm lidhur me këtë projekt.
Komuna e Podujevës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në dhjetor të vitit 2024 kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për realizimin e Projektit të Banimit Social Adekuat, ku Podujeva është përfituese e 3 nënprojekteve: Ndërtimi i njësive banesore të reja për banim social; Renovimi i njësive ekzistuese të banimit social; dhe Rindërtimin apo rinovimi i shtëpive private për familjet e cenueshme.