Në kuadër të zbatimit të masave të efiçiecës së energjisë në institucione publike, kanë përfunduar punimet e rinovimit në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë, Shkollën Fillore “Shefki Kuleta” në Tërrnavë, “Hamit Sejdiu” në Pakashticë të Epërme dhe “Ali Ajeti” në Lladoc.
Ky projekt i financuar nga Qeveria e Kosovës dhe zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë në vlerë prej 698,728.80 euro përfshin izolimin e mureve dhe kulmit, ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme me xhama treshtresorë, vendosjen e ndriçimit LED (efiçient) dhe instalimin e kaldasë me pelet.
Të mërkurën është bërë edhe zyrtarisht përurimi i këtij projekti, ku mori pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, përfaqësues të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë e zyrtarë tjerë nga niveli lokal e qendror.
Në ceremoninë e përurimit të punimeve në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”, Kryeministri Kurti theksoi se realizimi i këtij projekti ka rezultuar me ambiente më të ngrohta, me ndriçim më të përshtatshëm dhe gjithashtu me siguri të lartë.
“Këtu janë rreth 3000 metra katrorë, pra është një shkollë e madhe me mbi 1000 nxënës dhe me rreth 100 mësimdhënës, të cilët tash do t’i kenë kushtet moderne për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Bëhet fjala për gjithsej 4 shkolla në Podujevë, në të cilat kemi investuar si Qeveri e Republikës së Kosovës, 750 mijë euro, por edhe po aq, pra me 1 milionë e gjysmë me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Synimi ynë është që sa më shumë fëmijët, nxënësit, rinia të kenë kushte për arsimim cilësor”, tha ndër të tjera Kurti.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Shkolla “Isa Boletini” është një ndër katër shkollat të cilat po investojnë në Podujevë përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, dhe se këto janë ndër 17 shkolla në 4 komuna të ndryshme të Kosovës, të cilat po rinovohen përmes një fondi.
Ndërsa, Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, theksoi se me këtë rinovim ky objekt shkollor pothuajse është bërë i ri.
“Faleminderit të gjithëve që na kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti. Edhe ne po punojmë çdo ditë e më shumë që fëmijëve dhe nxënësve t’u krijojmë kushte sa më të përshtatshme për mësimnxënie”.
Kjo është faza e dytë e këtij projekti në Podujevë, pasi në fazën e parë janë investuar edhe afro 800 mijë euro në izolimin e katër objekteve tjera shkollore dhe është bërë ndriçimi i Rrugës “Hakif Zejnullahu”.