Sot, në sallën e Kuvendit Komunal në Podujevë, u mbajt takim me fermerët llapjanë, me qëllim të diskutimit të vështirësive me të cilat përballen fermerët, kërkesave për mbështetje, propozimeve nga terreni, si dhe informimit rreth projekteve dhe subvencioneve të planifikuara për vitin 2026.
Në takim morën pjesë Nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Behram Latifi, si dhe zyrtarë komunalë nga kjo drejtori.
Takimin e hapi Drejtori Latifi, i cili prezantoi projektet e realizuara gjatë vitit të kaluar, si dhe planet dhe projektet që pritet të zbatohen gjatë vitit 2026. Ai theksoi se ky takim ka karakter konsultativ dhe se kontributi i drejtpërdrejtë i fermerëve është i domosdoshëm për hartimin e planit të punës, përcaktimin e prioriteteve reale në terren dhe përgatitjen e skemës së subvencionimit sipas sektorëve bujqësorë.
Me këtë rast, Nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, i falënderoi fermerët për pjesëmarrjen dhe për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në zhvillimin e bujqësisë. Ai theksoi se puna e fermerëve është bazë e rëndësishme e ekonomisë lokale dhe se Komuna e Podujevës mbetet e përkushtuar që të jetë partner i tyre, duke ofruar mbështetje konkrete për të lehtësuar punën në bujqësi dhe për të rritur prodhimin dhe qëndrueshmërinë në këtë sektor.
Nënkryetari Restelica i njoftoi fermerët edhe për ndarjen e mjeteve financiare për vitin 2026, ku ndër të tjera tha se janë paraparë 50,000 euro subvencione për bletari, 120,000 euro për mekanizëm bujqësor, 40,000 euro për pemëtari, 40,000 euro për shpezëtari, si dhe mjete të tjera për projekte zhvillimore dhe infrastrukturë bujqësore.
Gjatë diskutimit të hapur, fermerët shprehën shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen në punën e përditshme, kërkesat për përmirësim të infrastrukturës rurale, nevojat për makineri dhe pajisje bujqësore, si dhe parashtruan pyetje dhe propozime lidhur me subvencionet dhe politikat komunale në bujqësi. Për të gjitha këto morën përgjigje nga Nënkryetari Restelica dhe Drejtori Latifi.
Në përmbyllje të takimit, Nënkryetari Restelica i falënderoi fermerët për diskutimet konstruktive dhe i siguroi se të gjitha kërkesat dhe sugjerimet e tyre do të trajtohen me kujdes maksimal dhe brenda mundësive që ka Komuna do të ofrojë mbështetje për fermerët llapjanë.