Në një atmosferë festive u mbajt manifestimi tradicional “Zgjedhja e Sportistit të Vitit 2025”, i organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Podujevës.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Komunës Shpejtim Bulliqi, nënkryetari Fahri Restelica, drejtorë të drejtorive komunale, kryetari i Shoqatës për Binjakëzim Podujevë–Velbert, Rrahman Islami, përfaqësues nga stacioni i policisë, sportistë, trajnerë, punëtorë sportivë, donatorë dhe dashamirë të sportit.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, përgëzoi të gjithë sportistët për sukseset e arritura gjatë vitit 2025, duke theksuar përkushtimin e komunës për mbështetjen e sportit përmes projekteve zhvillimore, përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe subvencioneve që ndihmojnë sportistët dhe klubet sportive.
Sportisti i vitit 2025 u shpall Aid Currit nga klubi i karatesë “Besa-Lluzhan”, për rezultatet dhe paraqitjet e suksesshme gjatë këtij viti. Në vendin e dytë u rendit Medina Kutleshi nga klubi i atletikës, ndërsa në vendin e tretë Arjanit Hasani nga klubi i futbollit Llapi.
Gjatë mbrëmjes u ndanë edhe çmime dhe mirënjohje të tjera. Klubi i Vitit 2025 u shpall Klubi i Atletikës Llapi, ndërsa një mirënjohje e veçantë iu nda ish-basketbollistit Besnik Podvorica për kontributin e dhënë në sportin e basketbollit.
Donatori Sportiv i Vitit 2025 u shpall LLAPI COMPANY, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sportit.
Me mirënjohje post-mortem u nderuan personalitete që ndër vite kanë dhënë kontribut të çmuar për sportin llapjan: Enver Qosa, ish-sportist, gjyqtar i dalluar i futbollit dhe drejtor shkolle; Bislim Berisha, ish-sportist, atlet i dalluar dhe sekretar i Federatës së Atletikës; si dhe Ismet Oraca, ish-kryetar i klubit të shahut “Hyzri Talla”.
Gazetari më i mirë sportiv edhe këtë vit u vlerësua Enver Hyseni, ndërsa me mirënjohje për punën me nxënës dhe sportistë të rinj u vlerësuan Afrim Fazliu dhe Gramos Latifi.
Gjyqtari më i mirë i vitit 2025 u zgjodh Edmond Zeqiri, gjyqtar ndërkombëtar i futbollit.
Shpresa e sportit llapjan për këtë vit u shpall Veloma Mani nga Klubi i Atletikës Llapi, ndërsa punëtori sportiv i dalluar u zgjodh Burim Muzaqi.
Mirënjohje iu nda edhe klubit të futbollit Veteranët e Klubit Llapi për rezultatet e arritura gjatë këtij viti.
Ndërsa trajneri më i suksesshëm i vitit u zgjodh Isak Curri.