Në Galerinë e Arteve në Podujevë u mbajtën Takimet Kulturore “Kadri Kadriu”, aktivitet tashmë tradicional që i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të vlerave letrare e kulturore, si dhe Ora e Madhe Letrare “Afrim Maliqi”.
Në këto takime morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, autorë, shkrimtarë, krijues të rinj dhe dashamirë të artit e letërsisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari Restelica theksoi rëndësinë e këtyre takimeve, duke vënë në pah figurën e Kadri Kadriut si një nga emrat e rëndësishëm të letërsisë në Podujevë dhe më gjerë. Ai u shpreh se Takimet Kulturore “Kadri Kadriu” janë një ngjarje e përvitshme që jo vetëm nderon veprën dhe kontributin e poetit e profesorit të dalluar, por edhe mban gjallë frymën e artit dhe të kulturës në komunitet.
Në kuadër të këtyre takimeve u bë ndarja e çmimeve letrare “Kadri Kadriu” për poezi.
Çmimi i tretë iu nda poezisë “Cmendi” nga Djellza Gashi
çmimi i dytë poezisë “Dialog me hanën”, nga Nora Canolli
ndërsa çmimi i parë iu nda poezisë “Troja ime lumprituri”, nga Liridon Hyseni
Pas ndarjes së çmimeve “Kadri Kadriu”, u hap Ora e Madhe Letrare, ku krijuesit lexuan poezitë e tyre në garë për çmimin “Afrim Maliqi”, si dhe për çmimet inkurajuese. Gjatë kohës sa juria po vlerësonte krijimet, nxënësit e Shkollës së muzikës “Mirela” argëtuan të pranishmit me disa pika muzikore.
Çmimin “Afrim Maliqi” e fitoi Mehmet Breznica me poezinë “Urna me hirin e të parëve të mi”.
Në këtë takim u nda edhe mirënjohje – post mortem për Fatmir Halimin, për kontributin në fushën e letërsisë dhe artit.
Po ashtu, u ndanë pesë çmime inkurajuese për krijuesit:
Rudi Berisha – “Qiriu po tretet në sytë e motrës”,
Adelina Qarkaj – “Po nuk ecë me këpucët e mia, mos fol tezgjahëve”,
Albiona Januzi – “Vaji i shkrimtarit”,
Valëza Fusha – “Besianës së pathyeshme”,
Erona Sadiku – “E çmendur apo jo?”.