Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Komunën e Podujevës, ka fituar projektin “Climate Integrated Pathways for Podujeva (CLIPP)” në skemën Horizon Europe/ Pathways2Resilience (P2R), me vlerë totale 209,943.75 euro.
Projekti, i koordinuar nga prof. dr. Kadri Sylejmani nga UP dhe koordinatore nga komuna Lirie Hoti, synon zhvillimin e strategjive të qëndrueshme për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike në Podujevë. Ai përfshin vlerësimin e qëndrueshmërisë, hartimin e strategjisë dhe planit të veprimit, si dhe planin e investimeve për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjes së komuniteteve.
CLIPP do të përdorë teknologji inovative, inteligjencë artificiale dhe mjete digjitale për analizë të avancuar të të dhënave dhe bashkëkrijim me qytetarët. Gjithashtu, projekti parasheh organizimin e aktiviteteve tematike me studentë dhe nxënës të shkollave të mesme.
Projekti do të zbatohet nga 1 janari 2026 deri më 30 qershor 2027, duke forcuar partneritetin mes akademisë, institucioneve lokale dhe komunitetit të Podujevës.