Në Teatrin “Avdush Hasani” sot u mbajt The Startup Sprint, i cili u organizua nga Innovation Centre Kosovo, Coca-Cola HBC Kosova dhe Komuna e Podujevës.
Nxënës, studentë, përfaqësues të shkollave e qytetarë patën rastin të dëgjojnë rrëfime të jashtëzakonshme nga disa sipërmarrës të suksesshëm dhe folës motivues të Kosovës, si Shpend Ahmeti, Shenaj Shala, Gent Shala, Krenar Batusha e Shpend Lila.
Gjatë prezantimeve të tyre ata shpalosën para të pranishmëve përvojat e tyre jetësore e profesionale, sfidat e arritjet që ishin plot motivim për të rinjtë se si duhet t’i ndjekin ëndrrat e si duhet të punojnë fort për të arritur qëllimet.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i cili i falënderoi partnerët Coca-Cola dhe Innovation Centre Kosovo që bashkë me Komunën krijuan një hapësirë të vlefshme ku të rinjtë morën njohuri praktike, që do t’iu ndihmojnë në rrugën drejt karrierës së tyre.
“Sot ju po hyni në botën e shumë mundësive, një botë ku teknologjia, inovacioni dhe krijimtaria po ndryshojnë jo vetëm tregun e punës, por mënyrën se si jetojmë. Mos hezitoni të ndërmerrni hapa të rinj, të gaboni, të provoni e të ringriheni. Kjo është epoka ku suksesi ndërtohet mbi guximin, kreativitetin dhe punën e palodhur”, tha kryetari Bulliqi.
Ai theksoi se si komunë jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje për projekte të reja dhe çdo iniciativë që iu shërben të rinjve dhe të ardhmes së qytetit të Podujevës.