Në Galerinë e Arteve në Podujevë sot u mbajt një manifestim për të nderuar njërën nga figurat më të shquara të letërsisë shqipe, shkrimtarin dhe botuesin Nazmi Rrahmani.
Ky manifestim që u emërtua “Portreti i shkrimtarit Nazmi Rrahmani”, u organizua nën patronazhin e Kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Kryetari Bulliqi tha se Nazmi Rrahmani i dha formë mësimdhënies së gjuhës shqipe në gjimnazin e Podujevës, duke edukuar gjenerata të tëra nxënësish.
“Si profesor, ai nuk transmetoi vetëm dije, ai përcolli dashuri për gjuhën, për librin dhe për identitetin tonë kulturor. Si shkrimtar dhe romancier, Nazmi Rrahmani është autor i një vargu veprash që sot konsiderohen themelore në letërsinë tonë. Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në krijimtarinë letrare. Si drejtor i Shtëpisë Botuese “Rilindja”, profesor Nazmi Rrahmani ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e botimeve shqipe në Kosovë”, theksoi Kryetari Bulliqi.
Ai tha se shkrimtari Rrahmani kontribuoi në zgjerimin e katalogut të botimeve, duke mbështetur autorë të rinj dhe duke forcuar hapësirën e librit shqip në një kohë të vështirë politike e kulturore.
Në shenjë mirënjohje për kontributin e tij në arsim dhe në letërsinë shqipe, Kryetari Bulliqi e nderoi me një mirënjohje Nazmi Rrahmanin.
Për veprimtarinë letrare e botuese të Rrahmanit foli edhe studiuesi e shkrimtari, Anton Nikë Berisha e poeti Shefqet Dibrani i bëri një analizë librit “Tymi i votrës së fikur”. Ndërsa rrëfimin për jetën familjare e shpalosi vëllai i tij, Zejnullah Rrahmani
Vetë shkrimtari Nazmi Rrahmani theksoi se gjatë krejt jetës së tij i është përkushtuar shkrimit dhe botimit. Ai e falënderoi Kryetarin Bulliqi dhe kolegët e tij për organizimin e këtij manifestimi, për fjalët dhe vlerësimin që iu bë veprimtarisë së tij letrare.