Sportistët dhe të gjithë ata që e pëlqejnë lojën e tenisit po u bëhet edhe një vend i ri për ta zhvilluar këtë sport. Sot ka filluar ndërtimi i fushës së dytë të tenisit në Parkun e Paqes “Manchester”, ngjitur me fushën që është përuruar po këtë vit.
Në këtë ceremoni mori pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku, Drejtoresha për Kulturë, Vlora Humolli – Jashanica, zyrtarë tjerë nga niveli qendror e lokal e qytetarë.
Kryetari Bulliqi theksoi se kjo fushë e tenisit është në vazhdën e shumë projekteve që po bëhen për të përmirësuar kushtet në infrastrukturën sportive.
“Kjo fushë do të bëhet konform standardeve ndërkombëtare dhe besoj që do të jetë njëri prej aseteve që do të shfrytëzohet edhe për lojërat mesdhetare të cilat do të mbahen në Kosovë. Përveç fushës, do të bëhet edhe një objekt ndihmës për lojërat të cilat do të zhvillohen këtu, sikurse do të ketë edhe një investim shtesë në fushën përballë në vendosjen e shtresës së tartanit dhe kësisoj do të përmbyllet komplet si projekt”, tha Bulliqi.
Ndërsa, Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku, deklaroi se kjo fushë është pjesë e një programi më të gjerë të Ministrisë.
“Kjo sot që po e nisëm këtu është rezultat i një angazhimi të kryetarit të Komunës, i cili ka qenë insistues për të sjell investime të reja në Podujevë. Kjo natyrisht është në kuadër edhe të prioriteteve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Tashmë jemi në fazën e investimeve të mëdha në gjithë Kosovën, sidomos për të fuqizuar infrastrukturën e sporteve, të lënë anash me vite, dhe këtu e kemi fjalën për tenisin, për notin, për gjimnastikën dhe atletikën, krahas investimeve të mëdha që kanë ndodhur në infrastrukturë të futbollit dhe ndërtimit të palestrave”, u shpreh Ministri Çeku.
Vlera e projektit të fushës së tenisit dhe objektit përcjellës është afro 180 mijë euro dhe financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Kryetari Bulliqi dhe Ministri Çeku vizituan edhe Qendrën Multifunksionale dhe Pishinën gjysmëolimpike për të parë nga afër realizimin e këtyre dy projekteve.