Në Galerinë e Arteve në Podujevës u hap ekspozita “Glass Room: Misinformation Edition” që ka për qëllim mbrojtjen nga dezinformatat. Me përdorimin e madh të teknologjisë, sidomos telefonave të mençur, është rritur edhe rreziku nga lajmet e rrejshme.
Në hapje të kësaj ekspozite drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica, i falënderoi zyrtarët e BE-së që e kanë zgjedhur Podujevën (në mesin e pesë komunave të Kosovës) për ta mbajtur këtë aktivitet.
Gjatë këtij aktiviteti u tha se të gjitha shtresat e shoqërisë janë të ekspozuara ndaj lajmeve të rrejshme dhe se dezinformatat ndikojnë edhe në vendimet që marrin njerëzit, përfshirë edhe blerjen e ilaçeve pa rekomandim të mjekëve, pastaj rroba, e gjithçka tjetër. Gjithashtu, u tha se studimet e fundit tregojnë që ka rritje prej dhjetëra miliona eurove për blerje të vitaminave kundër sëmundje të ndryshme, bazuar në lajmet e rrejshme.
Ekspozita u shoqërua edhe me një punëtori me të rinjtë e Podujevës, të cilët patën rastin të mësojnë si t’i dallojnë dezinformatat, nga kush vijnë, si të mbrohen nga to, etj.
Pjesëmarrëve të kësaj punëtorie iu kërkua që njohuritë e marra t’i ndajnë me të tjerët.
Kjo ekspozitë e cila në Podujevë do të jetë e hapur deri më 21 nëntor, është mbajtur në 19 shtete të BE-së.
Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian.