Dy objekte shkollore në qytet do të bëhen me anekse të reja për mësim. Gurthemeli për ndërtimin e ankesit të Shkollës “Ibrahim Rugova” dhe “Enver Maloku” është vendosur sot në dy ceremoni të ndara ku mori pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, drejtori për arsim, Avni Fetahu, stafi shkollor, nxënës e prindër.
Kryetari Bulliqi tha se ky është një investim i rëndësishëm që do të krijojë kushte për zhvillimin e mësimit gjithëditor.
“Me këto projekte po zgjerojmë kapacitetet shkollore dhe po përmirësojmë cilësinë në arsim, sepse besojmë se investimi më i vlefshëm që mund të bëjmë është ai në arsim dhe në fëmijët tanë”, theksoi Bulliqi.
Ndërtimi i këtyre dy anekseve do të kushtojë rreth 1.2 milionë euro dhe është investim i Komunës.
Javën që shkoi ka filluar ndërtimi edhe i aneksit të Shkollës “Naum Veqilharxhi” në Llapashticë të Epërme.