Sot, në shënim të Ditës Botërore të Pastrimit, u zhvilluan aktivitete me fokus ndërgjegjësimin dhe angazhimin qytetar për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm.
Aktivitetet nisën në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ibrahim Rugova”, u mbajtën orë mësimore me tematike kushtuar rëndësisë së mbrojtjes së mjedisit dhe ruajtjes së hapësirave të pastra. Pas kësaj, nxënësit dhe stafi shkollor morën pjesë në një aksion simbolik për pastrimin e brendshëm dhe të oborrit të shkollës.
Më pas, aksioni vazhdoi në rrugën “Skënderbeu”, ku u bë largimi i një deponie ilegale të mbeturinave.
Në këto aktivitete mori pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Planifikimit Urban, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Liridon Gashi dhe zyrtarë të tjerë komunalë që iu bashkuan aksionit të pastrimit.
Aksionet do të vazhdojnë edhe nesër. Në bashkëpunim me kompanitë komunale të pastrimit, organizatat joqeveritare, nxënësit e gjimnazit dhe vullnetarë të tjerë, do të bëhet largimi i një deponie tjetër ilegale në fshatin Sfeçël dhe pastrimi i zonave përreth liqenit të Batllavës.
Ftojmë të gjithë qytetarët që të bashkëngjiten në këto nisma dhe të kontribuojnë për një komunë më të pastër dhe më të shëndetshme.