Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se nga sot është hapur thirrja për regjistrimin e institucioneve të edukimit në fëmijërinë e hershme (3-5 vjeç) në Programin e Kuponëve. Siç njofton MASHTI, kësaj radhe thirrja përfshin të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, ku veprojnë institucione private dhe publiko-private të licencuara.
“Programi i Kuponëve i cili do të zbatohet deri në qershor 2028, synon të mbështesë familjet e regjistruara në Skemën e Asistencës Sociale, përmes rimbursimit të institucioneve që ofrojnë edukim dhe transport për fëmijët.
Shuma e rimbursimit për edukimin e fëmijës do të përcaktohet nga çmimi i tregut dhe komuna përkatëse, deri në 150 euro në muaj për fëmijë”, njofton Ministria e Arsimit.
Tutje thuhet se pagesa e transportit do të mbulohet vetëm për institucionet që ofrojnë këtë shërbim, ndërsa shuma do të përcaktohet nga Komisioni për Vlerësimin e Aplikimeve, në varësi të komunës dhe distancës rrugore.
Regjistrimet janë të hapura nga 25 gushti deri më 8 shtator 2025 dhe realizohen përmes platformës elektronike:
https://ekosova.rks-gov.net/Security?ReturnUrl=%2F597
Ftojmë të gjitha institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme që të aplikojnë për regjistrim në program. Pas regjistrimit të tyre, do të hapet edhe procesi i aplikimit për fëmijë.