Në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës”, sot në sheshin e qytetit është hapur panairi artizanal i organizuar nga shoqatat “Duart e Arta Llapjane” dhe “Gratë e Batllavës”, i cili sjell për qytetarët dhe mërgimtarët produkte artizanale, veshje dhe ushqime tradicionale.
Në hapjen e panairit morën pjesë Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, Nënkryetarja Marigona Lahu, deputetja Drita Pajaziti dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica.
Kryetari Bulliqi vlerësoi punën e palodhur të grave të përfshira në panair, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore përmes prodhimeve artizanale dhe ushqimeve tona tradicionale.
Ky është panairi i tretë që organizohet si pjesë e aktiviteteve të “Ditëve të Diasporës”, dhe do të jetë i hapur për vizitorë edhe gjatë ditës së nesërme.