Dje, në fshatin Lluzhan, është mbajtur një takim publik me banorët e këtij fshati dhe fshatrave përreth, në kuadër të procesit të hartimit të Planit Zhvillimor Komunal 2026–2034. Në takim mori pjesë nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, së bashku me drejtorët e drejtorive komunale.
Gjatë takimit, u prezantua faza aktuale e punës dhe hapat e mëtejmë drejt përpilimit të këtij dokumenti strategjik. Pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë nga afër me përfaqësuesit komunalë dhe profesionistët e angazhuar, duke ndarë kërkesat dhe sugjerimet e tyre në lidhje me zhvillimin e zonës.
“Ky plan është një nga dokumentet më të rëndësishme për të ardhmen e komunës sonë, sepse përcakton drejtimet zhvillimore për vitet në vazhdim dhe krijon bazën për projekte konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve,” u shpreh nënkryetarja Marigona Lahu, duke theksuar rëndësinë dhe kontributin e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë proces.
Takime të tilla do të vazhdojnë të mbahen edhe në vendbanime të tjera të komunës, me synim që hartimi i dokumentit përfundimtar të reflektojë nevojat e komunitetit përmes një procesi gjithëpërfshirës.